Ky është 35-vjeçari Refit Buzi, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten e tij, duke u larguar me makinë nga vendngjarja.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku autori dyshohet se hyri në banesën e ish-vjehrrit dhe qëlloi me armë gjahu.

Sipas informacioneve paraprake, Buzi kishte pasur më herët probleme me familjen e ish-bashkëshortes. Familjarët kanë deklaruar se ai ishte arrestuar disa herë për shkak të kërcënimeve ndaj tyre dhe se kishte kërcënuar edhe vajzën me armë zjarri.

Mësohet gjithashtu se 35-vjeçari kishte marrë edhe disa vite më parë peng një tjetër person. Ai rezulton të jetë fqinj me familjen Plaka në fshatin ku ndodhi ngjarja.