Detaje të reja dalin nga vrasja e ndodhur pak ditë më parë në Komunën e Parisit, ku Filip Shehu goditi me thikë kamarierin 34-vjeçar, Indrit Ismaillari.
Sipas dëshmisë së autorit në gjykatë, viktima e kishte fyer dhe ngacmuar, ndërsa ai kishte mësuar për vdekjen e kolegut një ditë më pas, pasi mendonte fillimisht se 34-vjeçari kishte mbetur thjesht i plagosur. Shehu ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit dhe lidhej me punën, por ka shtuar se marrëdhëniet mes tyre ishin konfliktuale prej kohësh.
Megjithatë, stafi i lokalit mohon këto pretendime. Ata e përshkruajnë Indrit Ismaillarin si një punonjës të qetë, që nuk kishte debate me askënd dhe kishte punuar në restorant për pesë vjet. Autori, nga ana tjetër, ishte pjesë e stafit vetëm prej disa muajsh.
Ngjarja nisi për një pjatë me proshutë, që viktima i tha autorit të mos e merrte. Pas një debati verbal, Filip Shehu e goditi Indrit Ismaillarin në qafë me thikë, duke i prekur arterien kryesore, gjë që i shkaktoi vdekjen.
Autori ka qëndruar i qetë deri në mbërritjen e policisë, ndërsa pritet t’i kryhet ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale dhe jetonte i vetëm prej muajsh, me mosmarrëveshje edhe në familje.
