Gjykata ka vendosur arrest me burg për Nevaldo Hajdarajn, efektivi 31-vjeçar i forcave Shqiponja, i cili qëlloi për vdekje të riun, Klodian Rasha pas mesnatës së të hënës në zonën e Laprakës.


Në gjykatë, efektivi u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike.


“Merrni çfarë mase të doni, unë kam vrarë një njeri. Gjithçka ka ndodhur në ora 01.9 min për 4 ose 5 min ka qenë situata. Kam njoftuar sallën operative dhe kemi kërkuar përforcime për një njëri të dyshimtë”, mësohet të ketë thënë ai në gjykatë. 


Në ekspertizën e kryer nga prokurori i çështjes ka rezultuar se në armë nuk janë gjetur gjurmë gishtash çka e bën të pamundur përcaktimin nëse arma i përket apo jo Rashës. Pritet tashmë të kryhet një tjetër ekspertizë për të verifikuar këtë dyshim.


Akuza zyrtare e lexuar në seancën gjyqësore policin Nevaldo Hajdaraj, është ajo e “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, e parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, i cili parashikon një dënim deri në shtatë vite burg.