Gjykata ka lënë në burg 69-vjeçarin Hysni Patushi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, 58-vjeçares Lumturie Patushi, në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Tiranë.

Lumturie Patushi u godit me thikë në gjoks dhe humbi jetën në vend. Sipas dyshimeve të hetuesve, në momentin e ngjarjes 69-vjeçari ndodhej në gjendje të dehur, por përdorimi i alkoolit nuk është konsideruar rrethanë lehtësuese për masën e sigurisë.

Si nisi konflikti?

Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, konflikti mes çiftit lidhej me kohën që Lumturia kalonte në shtëpinë e vajzës së saj. 58-vjeçarja shkonte atje për t’u kujdesur për katër fëmijët e mitur të së bijës, gjë që, sipas hetimeve, nuk pranohej nga bashkëshorti i saj.

Patushi dyshohet se u largua nga banesa e çiftit në zonën e “Don Boskos” dhe shkoi drejt banesës së vajzës, në “Rrugën Panorama”, duke marrë me vete edhe thikën me të cilën më pas kreu krimin.

Ngjarja ka ndodhur në prani të nipërve të mitur të çiftit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se nuk bëhej fjalë për rastin e parë të dhunës në familje. Në vitin 2017, Hysni Patushi ishte arrestuar pasi kishte dhunuar bashkëshorten e tij, e cila ishte nëna e shtatë fëmijëve.

Pas vrasjes, 69-vjeçari dyshohet se hodhi thikën jashtë pallatit dhe u largua në drejtim të Kamzës. Atje takoi një të afërm, i cili e bindi të vetëdorëzohej në polici.

Në dëshminë e tij para uniformave blu, Patushi ka pranuar krimin dhe ka pretenduar se alkooli ndikoi në përshkallëzimin e konfliktit.

Ndërkohë, arma e krimit u gjet dhe u sekuestrua nga policia, pasi autoritetet përdorën edhe pamjet e kamerave të sigurisë të zonës për të rindërtuar lëvizjet e 69-vjeçarit pas ngjarjes.