Policia e Shkodrës ka arrestuar një shtetas amerikan, Brandon Saporito, 57 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 2 maj, në lagjen “Vasil Shanto”, ku Saporito, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se ka dhunuar dhe goditur me mjete të forta dhe mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen S. S., 54 vjeçe.
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ndodhi në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta. Si pasojë e plagëve të marra, gruaja ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policise
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër arrestuan shtetasin amerikan B. S., 57 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi: Më datë 02.05.2025, në lagjen “Vasil Shanto”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se në gjendje të dehur, për motive të dobëta, ka dhunuar e goditur me sende të forta dhe me mjet prerës, bashkëshorten e tij shtetasen S. S., 54 vjeçe, e cila si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
