Arrestimi
Agim Blogu u vra para 19 vjetësh në Elbasan
Në vitin 1993, ai kishte krijuar lidhje intime me gruan e një të njohuri të tij, por nuk i kishte shkuar në mendje se ai do e zbulonte lidhjen e tyre. E kur bashkëshorti e ka zbuluar tradhtinë e së shoqes, bashkë me dashnorin e saj ka planifikuar vrasjen e burrit, duke e realizuar atë në një kohë të shkurtër, me shpresën se do të kalonte jetën me të. Por vrasja u zbulua shumë shpejt dhe ajo i kaloi njëzet vjet në burg, ndërsa i dashuri i saj, deri dje ishte i lirë. Tashmë kur ajo është në përfundim të dënimit të saj, 19 vjet më vonë, i dashuri i saj arrestohet për dënimin e dhënë ndaj tij me 23 vjet burg. Policia e Elbasanit deklaroi dje zyrtarisht se ka vënë në pranga një 47-vjeçar të shpallur në kërkim prej 19 vjetësh. Sipas policisë, Dervish Toska nga fshati Dragot i këtij rrethi, ka vrarë më 8 korrik të vitit 1993 për motive xhelozie një 38-vjeçar. Gjykata e ka dënuar me 23 vjet burg, pasi ka vrarë, duke e mbytur Agim Blogun, 38 vjeç. Vrasja është kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e të ndjerit, Qerime Blogu, në atë kohë 36 vjeçe. Gruaja është dënuar me 20 vite burg dhe aktualisht është duke vuajtur dënimin. Burimet policore shpjeguan se vrasja ka ardhur pasi bashkëshorti i saj ka zbuluar lidhjen intime mes Toskës dhe të shoqes. Menjëherë pas këtij krimi, policia ka arrestuar Qerime Blogun, ndërkohë që Dervish Toska ishte shpallur në kërkim. Për 19 vjet ai ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, duke kaluar jetën sa në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Por një informacion i marrë pak ditë më parë ka sjellë një operacion të shpejtë të forcave speciale të Policisë së Elbasanit, që e kanë prangosur të dyshuarin.