Gjykata e Breshias në Itali ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin me origjinë shqiptare, Eduart Xhani, i akuzuar për vrasjen me thikë të nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha.

I riu aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Civil të Breshias, ku po mbahet nën mbikëqyrjen e forcave të policisë. Autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie edhe për shkak të shqetësimeve se ai mund të tentojë të dëmtojë veten.

Sipas mediave italiane, vendimi për mbajtjen e tij në paraburgim është marrë pas seancës së marrjes në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 nëntor, në banesën ku nënë e bir jetonin në Chiari, në provincën e Breshias. Krimi u zbulua një ditë më vonë, pasi 21-vjeçari u paraqit vullnetarisht në një stacion të karabinierëve në Kremona, ku deklaroi se kishte vrarë të ëmën.

Pas rrëfimit të tij, forcat e rendit shkuan në apartamentin e familjes dhe gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares.

Gjatë dëshmisë përpara hetuesve, Xhani ka treguar se përpara krimit kishte menduar t’i jepte fund jetës. Ai është shprehur se ndihej i papërshtatur me realitetin dhe se e shihte botën si një vend të padrejtë, ku nuk arrinte të gjente vendin e tij.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pas një tentative të pasuksesshme për vetëdëmtim, i riu dyshohet se ka marrë një thikë dhe ka sulmuar nënën, duke e goditur disa herë në pjesën e kraharorit dhe të barkut.

Pas krimit, 21-vjeçari është larguar nga banesa me automjetin e tij, një Audi A1, ndërsa mëngjesin e ditës pasuese ka shkuar në Kremona për t’u dorëzuar tek autoritetet.

Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka arritur të japë një shpjegim të qartë për motivin që mund ta ketë shtyrë drejt aktit të rëndë.

Nga informacionet e publikuara deri më tani, nuk rezulton që mes viktimës dhe djalit të saj të kenë ekzistuar konflikte të mëparshme. Eduart Xhani kishte lindur në Itali dhe jetonte së bashku me nënën në Chiari, pas ndarjes së saj nga bashkëshorti.

Ndërkohë, hetuesit janë në pritje të rezultateve të ekspertizës mjekoligjore, e cila pritet të përcaktojë më saktë natyrën dhe numrin e plagëve që i shkaktuan vdekjen 39-vjeçares.

Një tjetër element që pritet të marrë rëndësi gjatë procesit gjyqësor është gjendja psikologjike e të akuzuarit. Ekspertizat përkatëse do të ndihmojnë në vlerësimin e gjendjes së tij mendore dhe të rrethanave në të cilat dyshohet se është kryer krimi.

Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.