Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Dibër ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin I.M., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, në bazë të nenit 78/2 të Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, I.M. është përgjegjës për vrasjen e shtetasit P.P., krim i cili dyshohet se është kryer me paramendim. Prokuroria i ka paraqitur gjykatës provat që, sipas saj, vërtetojnë fajësinë e të pandehurit dhe ka kërkuar dënimin maksimal për veprën penale të kryer.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.27, regjistruar më datë 22.01.2024, rezultoi se shtetasi I.M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. P. i cili ishte duke ecur në fshatin Vig me një tjetër person. Sapo ka kryer aktin, ai ka lajmëruan policinë dhe u largua drejt banesës së tij.
Djali i autorit, ka sqaruar se babai i tij kishte konflikt të vjetër me këtë shtetas pasi ai i kishte plagosur me armë vajzën e tij si dhe vajzën e vëllait, veprim për të cilin ai u dënua me 12 vite burgim. Për këtë konflikt, megjithëse viktima kishte kryer dënimin palët nuk ishin pajtuar. Madje, kohët e fundit, para 3-4 muaj para se të ndodhte vrasja, shtetasi I.M. i dërgoi mesazh nëpërmjet dajës së tij, që viktima të mos shkonte më në fshat se nëse do t’i dilte para do ta vriste.
Sa më sipër, rezultoi e provuar se i pandehuri I.M. ka konsumuar tërësisht elementet e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, e provuar nga kryerja e veprimeve hetimore. Motivi i kësaj ngjarje kriminale është hakmarrja, pasi viktima ka qëlluar dhe plagosur vajzën e të pandehurit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit I.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, në dëm të viktimës P.P. dhe dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm.