Ky është momenti kur Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, mbërrin në Gjykatën e Sarandës, ku po mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 11 personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Varela në Ksamil.
29-vjeçari, i veshur me një bluzë të errët dhe pantallona të shkurtra, zbret i pari nga automjeti i policisë. Pas tij, nën shoqërimin e efektivëve, mbërrijnë edhe personat e tjerë që do të dalin përpara gjykatës.

Vata dyshohet si personi që goditi me thikë turistin portugez, duke i shkaktuar plagë fatale, gjatë konfliktit të ndodhur pranë kompleksit “Principotes”. Ndërkohë, Danjel Gjana, i njohur edhe si David Heurtevent, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje, vijon të jetë në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se e ka goditur fillimisht 20-vjeçarin me grushte.

Nga dëshmitë e deritanishme rezulton se përplasja mund të ketë nisur për shkak të zhurmës në lokal, përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë fizike.

Mes 11 personave që përballen me masën e sigurisë janë edhe shtetasit turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilët dyshohet se ndihmuan Vatën në përpjekjen për t’u larguar drejt Tiranës. Në këtë grup përfshihen gjithashtu katër kamerierë të kompleksit, si dhe Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të lidhur me sigurinë e “Principotes”.
Pronari i kompleksit, Bekim Bulica, është shpallur në kërkim.
Të gjithë personat e përfshirë në procedim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

View this post on Instagram

A post shared by Gazeta Shqip (@gazeta_shqip)