Masa e sigurisë
Dosja e prokurorisë për vrasjen në një fshat të Mirditës
Autori e thirri viktimën në shtëpinë e tij pak minuta para krimit, ku e akuzoi për ngacmimin e së shoqes
Gjykata e Lezhës ka dhënë burg pa afat për 28-vjeçarin Azem Ukaj, i cili katër ditë më parë vrau shokun e tij në një fshat të Mirditës, pasi dyshonte se ai i kishte ngacmuar bashkëshorten. Në këtë ngjarje mbeti e plagosur rëndë edhe gruaja e viktimës, ndërkohë që gjatë masës së sigurisë, prokuroria ka paraqitur fakte të reja sesi është zbuluar autori dhe motivi i krimit të rëndë. Sipas prokurorisë, vetëm pak çaste pas atentatit, në derën e shtëpisë, ku mbeti i vrarë Berilion Kaçorri, 30 vjeç, viktima dhe autori ishin takuar në shtëpinë e këtij të fundit, ku kishin debatuar për të disatën herë mbi dyshimet që 28-vjeçari kishte mbi shokun e tij. Megjithatë, kjo është zbuluar nëpërmjet përgjimeve, pasi fillimisht asnjë i afërm, as i viktimës dhe as i autorit, nuk kanë pranuar të japin detaje mbi këtë krim.
Masa
Në këto kushte, me kërkesë të Prokurorisë së Lezhës, gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Azem Ukajn, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Sipas akuzës, ai akuzohet se më 1 shtator, në fshatin Lufaj të Mirditës ka vrarë me automatik Kaçorrin, si dhe ka plagosur bashkëshorten e këtij të fundit, Orjeta Kaçorri. Sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se rreth orës 11:30 të 1 shtatorit, është dhënë njoftim në sallën operativë se në fshatin Lufaj të Komunës Selitë, është vrarë Berilion Kaçorri dhe është plagosur rëndë e shoqja, Orjeta Kaçorri. Menjëherë është formuar grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e para hetimore, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e autorit dhe kapjen e tij. Për këtë qëllim, në bazë të të dhënave operative, janë kryer veprime hetimore me anë të metodave speciale të hetimit, ku u morën të dhëna se autori ishte Azem Ukaj dhe u përcaktua vendndodhja e tij. Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se vendndodhja e tij ishte në zonën e Matit, gjë që çoi më pas edhe në arrestimin dhe dërgimin e tij në dhomat e paraburgimit pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës. Nga punonjësit e policisë është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një automatiku, me një karikator me 13 fishekë, që është përdorur nga Ukaj për kryerjen e vrasjes.
Vrasja
Më tej, nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se krimi ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së Berilion Kaçorrit. Në afërsi të derës së shtëpisë është konstatuar një pellg gjaku dhe pesë gëzhoja model 56 me kapsollë të goditur. Kurse në pjesën ballore të shtëpisë janë gjetur katër dëmtime me armë zjarri. Nga këqyrja e kufomës ka rezultuar se kishte dëmtime me armë zjarri në pjesën e kokës dhe të trupit, ku kishte plagë tejshkuese në mushkëri dhe në zemër. Nga veprimet e tjera hetimore rezultoi se viktima është vrarë në banesën e tij nga Azem Ukaj, i cili pasi e ka thirrur Kaçorrin që të dilte jashtë, ka qëlluar me një automatik në drejtim të tij dhe të bashkëshortes së tij, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 30-vjeçarit dhe plagosjen e rëndë të Orjetës. Kjo e fundit, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka marrë, është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë për mjekim më të specializuar.
Motivi
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtim të zbulimit të motivit të ngjarjes, ka rezultuar se ndërmjet Azem Ukajt dhe të ndjerit Berilion Kaçorri kishte pasur konflikte të vazhdueshme në lidhje me faktin se autori dyshonte se viktima i kishte ngacmuar bashkëshorten. Për këtë dyshim, ata kanë biseduar disa herë, por Berilion Kaçorri nuk e ka pranuar këtë fakt.
Takimi
Pikërisht për këtë arsye, ata janë takuar edhe pak minuta para krimit. Më 1 shtator, Azem Ukaj ka pritur Kaçorrin në shtëpinë e vet. Aty, Azem Ukaj e ka akuzuar përsëri viktimën se i kishte ngacmuar bashkëshorten, por Berilion Kaçorri nuk e ka pranuar përsëri këtë fakt dhe ka shkuar në shtëpinë e tij. Pas këtij debati, shtetasi Azem Ukaj ka shkuar i armatosur në shtëpinë e Berilionit dhe pasi e ka thirrur që të dalë nga shtëpia, ka qëlluar me breshëri ndaj tij. A. B.