Gjykata e Tiranës ka lënë në burg, Arlind Demushin, i cili pak ditë më parë vrau me thikë Hajdar Ismajlgecin në Babrru. Avokati i tij është shprehur se sherri ka qenë i momentit dhe se Arlind Demushi nuk ka pasur qëllim për ta vrarë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes. Siç edhe kishin bërë çdo darkë së bashku ata u ulën në një lokal për të pirë por biseda mes tyre mori tjetër rrjedhë.
Një fjalë jo etike e përdorur ndaj gruas së mikut që i kishte hapur dyert e shtëpisë, bëri që Arlind Demushi të humbasë arsyen dhe ta qëllojë me thikë mikun e tij Hajdar Ismailgeci, duke e lënë të vdekur në vend. Pasi e pa të pajetë, e braktisi në rrugë dhe tentoi të arratisej duke u fshehur në një banesë në Durrës ku edhe u arrestua nga policia.
Kanë qenë banorët e zonës ata që sinjalizuan policinë për personin e pajetë pranë shkollës “Azem Hajdari” në Babrru. Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe dëshmitë e banorëve që treguan për lëvizjet e 38-vjeçarit të përgjakur nëpër lagje, çuan në identifikimin e shpejtë të tij dhe më pas vënien në pranga.