Gjykata e të Miturve në Bolonja ka dënuar me 17 vite burg një adoleshent 16-vjeçar, autorin e vrasjes së 13-vjeçares Aurora Tila, vajza shqiptare që humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni i apartamentit të saj në Piacenza më 25 tetor 2024.
Sipas hetimeve, i pandehuri, i cili kishte pasur një marrëdhënie sentimentale me Aurorën, e kishte shtyrë atë nga ballkoni pas një debati të ashpër, pasi vajza kishte vendosur ta ndërpriste lidhjen. Prokuroria ka bërë të ditur se, pasi Aurora tentoi të kapte kangjellat për t’u shpëtuar, ai e goditi me gjunjë në duar për ta detyruar të binte. Dëshmitarët në vendngjarje kanë konfirmuar versionin e ngjarjes.
Gjykata e shqyrtoi rastin me procedurë të shkurtuar, çka e mundësoi uljen e dënimit të të pandehurit me një të tretën, nga 20 vite e 8 muaj që kërkoi prokuroria. Avokati i mbrojtjes kërkoi lirimin nga akuzat, duke argumentuar se ngjarja mund të ishte një aksident ose një veprim i paqëllimshëm, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë.
Në sallën e gjyqit, e pranishme ishte edhe nëna e Aurorës, Morena Corbellini, e cila shprehu kënaqësinë për dënimin, duke thënë: “Jam e kënaqur me dënimin, edhe pse 20 vite do të ishin më të përshtatshme. Të paktën drejtësia u vu në vend. Kam besuar gjithmonë tek drejtësia.” Ajo njoftoi gjithashtu se do të krijojë një shoqatë në emër të vajzës së saj, me synimin për të ndihmuar të rinjtë dhe gratë që përballen me dhunë apo manipulim në marrëdhënie.
Tragjedia e Aurorës ka tronditur thellë opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, duke sjellë një debat të gjerë për mbrojtjen e të miturve nga dhuna dhe marrëdhëniet abuzive. Avokati i të miturit, Ettore Maini, ka njoftuar se do të apelojë vendimin, duke hedhur dyshime mbi besueshmërinë e disa dëshmitarëve dhe autenticitetin e regjistrimeve audio të procesit hetimor.
Arsyetimi i plotë i vendimit pritet të publikohet brenda 90 ditësh.
