Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik në shkurt të këtij viti, kur 49-vjeçari palestinez, Fadi Alwan, dyshohet se vrau me mjet prerës vajzën e tij, Rayyan Alwan, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë. Pas afro dy muajsh hetime intensive, autori i dyshuar është lokalizuar dhe arrestuar në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Arrestimi i tij është bërë i mundur falë bashkëpunimit mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe homologëve në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar Fadi Alwan-it masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Hetimet paraprake sugjerojnë se ngjarja ndodhi në muajin shkurt 2025, në banesën ku qëndronte vajza e tij, dhe për shkaqe që ende nuk janë bërë publike, ai dyshohet se e goditi për vdekje me mjet prerës.
Policia dhe Interpol-i vijojnë bashkëpunimin për të përfunduar procesin e ekstradimit dhe sjelljen e të dyshuarit në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë.