Gjykata e Pogradecit ka dhënë sot masën e sigurisë arrest me burg për Romeo Myrtezain, i cili disa ditë më parë vrau vëllain e tij dhe gjyshin e ish-bashkëshortes. Masa e sigurisë ndaj 25-vjeçarit është komunikuar në ambientet e spitalit të Pogradecit, ku ndodhet i shtruar pasi u plagos gjatë ngjarjes.


Romeo Myrtezai, disa ditë më parë në qytetin e Pogradecit, teksa ishte nën efektin e alkoolit dhe pas një konflikti të çastit ka vrarë fillimisht vëllain e tij, Dritan Myrtezai, 38 vjeç dhe më pas gjyshin e ish-gruas, Fatmir Muhaxhirin 65 vjeç.

Shkak i ngjarjes së rëndë mendohet se janë bërë konfliktet pas divorcit të Myrtezait nga bashkëshortja e tij dhe përpjekjet e 25-vjeçarit për ta rikthyer atë sërish. Viktimat dhe autori i ngjarjes i përkasin komunitetit rom.

18 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)