Atentati në Sanxhak të Kurbinit. Gjatë të shtënave u plagos edhe një shok i viktimës
Ardian Bushi
Konfliktet e njëpasnjëshme mes dy grupeve të rinjsh në Sanxhak të Kurbinit kanë sjellë mbrëmë vrasjen e një 25-vjeçari dhe plagosjen e rëndë të shokut të tij, vetëm 20 vjeç. Atentati i rëndë ka ndodhur pranë shkollës së Sanxhakut, kur dy të rinjtë kishin dalë xhiro, pasi viktima Besar Ndreu ishte liruar nga burgu vetëm një natë më parë. Autori i dyshuar i krimit, i cili mendohet se është Albert Tuci, u arrestua vetëm pak minuta pas atentatit. Ai dyshohet se e ka kryer vrasjen për hakmarrje, pasi një vit më parë, Besari kishte plagosur djalin e xhajës së Albertit, Saimir Tucin, ndërkohë që çështja në ngarkim të tre protagonistëve nuk kishte as një muaj që ishte regjistruar në Gjykatën e Apelit në Tiranë për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë psikike.
Ngjarja e rëndë, sipas policisë së Kurbinit, ka ndodhur rreth orës 20:00 të së djeshmes në afërsi të shkollës 9-vjeçare të Kurbinit. Burimet policore bënë të ditur se Besar Ndreu, 25 vjeç, kishte dalë një natë para vrasjes nga burgu, pasi është dënuar për plagosjen e Saimir Tucit në mars të vitit 2012. Në këto kushte, ai kishte dalë për të takuar shokun e tij 20-vjeçar, Klentin Bajraktari. Duke ecur rrugës, ata kanë rënë pritë e një atentati me automatik. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, një djalë i ri ka lëshuar breshëri automatiku ndaj tyre dhe më pas është larguar me një makinë. Menjëherë pas krimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që dy të dëmtuarit janë dërguar për në spitalin e Laçit. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitej shumë e rëndë, kështu që ata janë nisur me urgjencë për në spitalin ushtarak në Tiranë. Rrugës për në spital mësohet se ka ndërruar jetë Besar Ndreu, ndërkohë që shoku i tij, aktualisht ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe mjekët thanë se është jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana tjetër, policia ka mësuar se i dyshuari për këtë krim vinte nga familja Tuci, pasi viktima e djeshme kishte konflikte të vazhdueshme me dy djem xhaxhallarësh. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Besar Ndreu, pikërisht më 12 mars të vitit 2012, ka plagosur me pistoletë pas një konflikti për motive të dobëta Saimir Tucin, 23 vjeç. Në atë kohë, i plagosuri u dërgua në spitalin e Lezhës dhe i mbijetoi plagës së marrë. Një ditë më vonë, policia bëri të mundur arrestimin e autorit të plagosjes, Besar Ndreu. Por, sipas policisë, Saimir Tuci, bashkë me djalin e xhajës, Albertin, kishin pasur konflikte të vazhdueshme me Besarin, sherr që mendohet se ka nisur pas ofendimeve në rrjetin social në internet “Facebook”. Madje, ata po gjykohen të tre për një konflikt të tillë mes tyre dhe çështja sapo ka kaluar në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Në këto kushte, djali i xhajës së të plagosurit në mars të vitit 2012, ka shkuar për t’u hakmarrë ndaj 25-vjeçarit. Pas krimit, ai është larguar me një mjet, por shumë shpejt është arrestuar nga policia edhe për faktin se konflikti mes të rinjve njihej prej kohësh nga uniformat blu. Por, burime të tjera policore thanë se ai u vetëdorëzua menjëherë pas krimit dhe ka pranuar veprimin që kishte kryer.