Arrestohet djali


Autori që plagosi gruan dhe të birin, ishte goditur në kokë dhe gjoks nga djali tjetër


Mark Çupi, pas një sherri në gjendje të dehur, plagosi me armë gruan dhe të birin 27-vjeçar


Pas plagosjes, Sajmiri 25-vjeçar i mori armën të atit dhe e goditi për vdekje me qytën e saj


Ardian Bushi


Krimi brenda familjes që ndodhi para dy netësh në Lezhë ka marrë përmasa edhe më tragjike, pasi autori që qëlloi ndaj gruas dhe të birit është vrarë nga djali tjetër i tij. Detajet e reja të ngjarjes së rëndë janë zbardhur dje nga policia lokale, e cila ka arrestuar djalin e viktimës, i cili është kapur në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku shoqëronte nënën e plagosur, që aktualisht është në gjendje kritike për jetën. Historinë e plotë sesi ka rrjedhur ngjarja dhe konfliktet familjare i ka shpjeguar i plagosuri Astrit Çupi, i cili ka marrë një plumb në kofshë dhe është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Lezhës, ndërsa babai i tij nuk ka mundur të tregojë asgjë, pasi ka humbur ndjenjat për në polici dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.


Zanafilla


Sipas të dhënave të policisë, në familjen Çupi nga fshati Kalur i Komunës Ungrej, ka pasur konflikte të shpeshta mes kryefamiljarit 62-vjeçar dhe bashkëshortes. Nga informacionet e mbledhura rezulton se Marku shkonte i pirë në shtëpi dhe gjatë debateve ka keqtrajtuar të shoqen, Marten. Për këtë arsye, dy net para krimit, dy djemtë e çiftit, Astriti dhe Sajmiri kanë marrë babanë dhe kanë kërkuar prej tij që t’i jepte fund keqtrajtimit të nënës. Por, “paqja” mes tyre ka zgjatur vetëm 48 orë, deri mbrëmjen e së martës, kur Mark Çupi ka keqtrajtuar sërish Marten 53-vjeçare. Në ato momente, kanë ndërhyrë dy djemtë e çiftit Çupi dhe kanë larguar babanë. Por, ndërhyrja e tyre duket se ka prekur në sedër 62-vjeçarin, i cili ka marrë një automatik, që e kishte fshehur në banesën private dhe ka dalë në oborr. Aty ka qëlluar dy herë në ajër, duke u bërtitur djemve se do t’i vriste. Dy vëllezërit, Astriti 27-vjeçar dhe Sajmiri 25-vjeçar, kur kanë parë babanë e armatosur, kanë tentuar ta qetësojnë. Sajmiri ka arritur t’i kapë armën, dhe ka tentuar t’ia heqë nga dora.


Përleshja


Në ato momente, pak para përleshjes, sipas grupit hetimor, Marku ka shkrepur armën, duke qëlluar disa plumba në drejtim të pakontrolluar, të cilët kanë qenë fatalë për anëtarët e familjes së tij. Dy plumba kanë kapur bashkëshorten, një në bark dhe një në këmbë, ndërsa një plumb tjetër ka plagosur në kofshë Astritin 27-vjeçar. Të ndodhur në këtë situatë, 25-vjeçari ka mundur t’i heqë automatikun nga dora të atit dhe me qytën e tij e ka goditur 62-vjeçarin në gjoks dhe në kokë. Menjëherë, i riu ka marrë nënën e tij, e cila nuk jepte shenja jete dhe po humbiste shumë gjak dhe vëllain e plagosur në këmbë, e me një makinë është nisur drejt spitalit të Lezhës, duke e lënë të atin në oborr. Njëkohësisht, banorët e zonës kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur armën e krimit dhe autorin e plagosjes, i cili ishte i dëmtuar në kokë dhe në gjoks, por që fillimisht nuk është vënë re nga uniformat blu. Ai është nisur për në Drejtorinë e Policisë së Lezhës. Rrugës ka humbur ndjenjat dhe policia e ka dërguar për në spitalin rajonal, ku ishte shtruar edhe djali i plagosur prej tij.


Arrestimi


Ndërsa babë e bir janë lënë në spitalin e Lezhës, mjekët kanë vendosur që 53-vjeçarja të dërgohet me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi kishte humbur shumë gjak. Bashkë me të ka shkuar edhe Sajmiri. Pak orë më vonë, Mark Çupi ka ndërruar jetë për shkak të hematomave të krijuara nga goditjet me qytën e armës, ndërsa djali i tij ka rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Në këto kushte, policia ka kërkuar shoqërimin e Sajmirit, i cili ishte me nënën e plagosur në Tiranë. Ai është kapur në ambientet e spitalit dhe fillimisht është shoqëruar në Komisariatin nr. 3 të Tiranës dhe më pas është dërguar në Lezhë, ku është ndaluar për vrasje nga pakujdesia.


Fatkeqësia


Mësohet se gjendja e së plagosurës është tejet e rënduar, ndërkohë që asnjë familjar nuk ka mundur të vijë në Tiranë për përkujdesjen e saj. Mjekët shprehen se pas ndalimit të djalit të saj, askush nuk është interesuar për gruan e plagosur, e cila ka nevojë për ilaçe, por që spitali nuk ia ka ofruar dot për shkak të mungesës së tyre. Në fakt, të afërmit e familjes dje kanë varrosur kryefamiljarin, i cili ishte shkaktari i tragjedisë, ndaj dhe nuk ka pasur njeri që të merret me përkujdesjen e 53-vjeçares, pasi edhe djali tjetër i çiftit është i plagosur.