Maghreb
Mokhtar Belmokhtar mbijetoi për 20 vjet në botën e terrorizmit
Ushtarët e Çadit në Mali vranë Mokhtar Belmokhtar, komandantin e Al-Kaedës që ideoi pengmarrjen e përgjakshme në impiantin algjerian të gazit në janar, thanë zyrtarët e ushtrisë së Çadit.
Vdekja e njërit prej xhihadistëve më të kërkuar në botë pritet të jetë një goditje e rëndë për Al-Kaedën në rajon dhe për rebelët islamikë që sakaq janë detyruar të largohen nga qytetet që patën pushtuar më herët në Mali.
“Të shtunën më 2 mars, në mesditë, forcat e armatosura nga Çadit që po veprojnë në Malin e veriut shkatërruan tërësisht një bazë terroriste… Mes të vdekurve të tyre është edhe udhëheqësi Mokhtar Belmokhtar”, tha në një deklaratë ushtria e Çadit.
Të premten, Presidenti i Çadit, Idris Deby, tha se ushtarët e tij kishin vrarë një komandant tjetër të Al-Kaedës, Adelhamid Abou Zeid, ndërsa 40 militantë të tjerë u vranë në luftimet në një zonë malore thellë në Afrikë. Franca refuzoi të konfirmojë vdekjen e dy figurave të Al-Kaedës në Afrikë, ndërsa SHBA-ja tha se nuk e kishte të mundur të konfirmonte lajmin.
Analistët thonë se vdekjet e dy komandantëve më të frikshëm në Sahara mund të shënojë një pikë kthese në këtë luftë. “Të dy kishin njohuri të mëdha të Malit të veriut dhe të gjithë zonës së Sahelit, si dhe lidhje të konsiderueshme shoqërore. Vdekja e tyre ka gjasa do të ketë pasoja në të gjitha operacionet e Al-Kaedës në Maghrebin Islamik.
Anne Giudicelli, drejtoreshë menaxhuese e grupit të konsulencës për sigurinë Terrorisc, tha se vdekja e komandantëve të Al-Kaedës, nëse konfirmohet, mund të sjellë ndërprerje të përkohshme në rrjetin e rebelëve islamikë, por mund të vërë në dyshim edhe fatin e shtatë pengjeve franceze që besohet se mbahen nga islamikët në Malin e veriut.
Belmokhtar, 40 vjeç, humbi një sy ndërsa luftonte në Afganistan në vitet 1990. Ai pati marrë përgjegjësinë për sulmin pengmarrës në një impiant gazi në Algjeri në janar, ku mbi 60 vetë humbën jetën.
Ky sulm vuri në dukje se Algjeria vijon të ketë një problem me militantët islamikë, ndërsa Al-Kaeda vijon të përbëjë shqetësim për interesat perëndimore pavarësisht vrasjes së Osama bin Laden në Pakistan në vitin 2011.