Elvis Dedaj u qëllua në makinë te Shkëmbi i Kavajës. Gjendet e djegur fuoristrada e vrasësve


Pas vrasjes së 44-vjeçarit nga Kosova, një tjetër person është ekzekutuar pasditen e së martës te Shkëmbi i Kavajës në Rrethin e Durrësit. Viktima është identifikuar si Elvis Dedaj nga Kavaja dhe me banim në lagjen nr. 3 të Durrësit. Ai është gjetur i ekzekutuar brenda automjetit tip BMW me ngjyrë gri dhe targa AA 481 CT te rruga dytësore që përdoret për ata që frekuentojnë plazhet e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit. Identifikimi u bë i mundur nga një dokument që u gjet brenda mjetit, nga kontrolli në të cilin u gjet edhe një armë zjarri e tipit pistoletë, e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar nëse është arma e krimit, apo me të janë kryer krime të tjera.


Viktima ishte person i shpallur në kërkim nga Interpoli për krime të lidhura me drogën. Ai kërkohej për llogari të Belgjikës, bazuar në një vendim të Gjykatës së Antwerp-it.


Mjeti gri, brenda të cilit ndodhej viktima, u gjet i ndezur në anë të rrugës dytësore të zonës turistike të Shkëmbit të Kavajës. Viktimës i është zënë pritë nga autorët dhe ai në përpjekje për t’u shpëtuar ka mbyllur dyert e mjetit, por nuk ka mundur t’u shpëtojë plumbave të derdhur mbi të. Mbi viktimën është qëlluar me breshëri plumbash dhe të paktën 6-7 janë konstatuar mbi të. Në vendngjarje, me të marrë njoftim për të shtënat, kanë shkuar shërbime të policisë dhe grupi hetimor, të cilët menjëherë kanë nisur punën për të hapur mjetin e mbyllur dhe nxjerrë prej tij trupin e pajetë. Hapja e mjetit ka shpejtuar edhe procesin e identifikimit të viktimës, si dhe janë kryer veprimet e para procedurale. Identifikimi i viktimës pasoi me verifikime për aktivitetin e tij kriminal. Elvis Dedaj, beqar, më 22 tetor të këtij viti do të mbushte 36 vjeç.


Postblloqe të shumta janë ngritur në rrugët që lidhin plazhin me Durrësin, Tiranën, Kavajën e më tej, por ende nuk ka pasur rezultat lidhur me autorët.


Ndërkohë, gjetja e një automjeti që po digjej ende në zonën e Arapajt, rreth 30 minuta pas ngjarjes, ka hedhur dyshimet se ai mund të jetë mjeti me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit. Automjeti tip fuoristradë është konstatuar rreth dy kilometra larg vendit ku u gjet mjeti me trupin e viktimës, në afërsi të njërit prej tuneleve të përdorura dikur për qëllime ushtarake, në Kodër Arapaj. Makina së cilës i është vënë flaka në afërsi të hyrjes së njërit prej dy tuneleve ushtarake në këtë zonë ishte e tipit “Nissan” me targa 01731FB. Dyshohet se autorët e kanë djegur për të zhdukur edhe gjurmë të tjera që ndodheshin në të, ndërsa leximi i targës klasifikohet si një element që mund t’i vijë në ndihmë hetimit. Gjithnjë nëse do të ketë prova se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, gjë që dyshohet më së shumti nga grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes.


Ky është ekzekutimi i dytë brenda harkut kohor të pak ditëve dhe në të njëjtin vend. Ndërkohë nuk është zbardhur akoma vrasja e 44-vjeçarit Skënder Spahia nga Kosova, i cili u ekzekutua në prani të gruas me të cilën bashkëjetonte, teksa po dilte nga automjeti për të shkuar në apartamentin e tij në plazh, pas një darke në Durrës. – Vali Qyrfyçi


 


Viktima


Elvis Dedaj ishte person i shpallur në kërkim nga Interpoli për krime të lidhura me drogën. Ai kërkohej për llogari të Belgjikës, bazuar në një vendim të Gjykatës së Antwerp-it