Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan thirrje me përmbajtje nacionaliste dhe ksenofobike ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të forta nga politikanët vendas dhe rajonalë.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, dënoi këto thirrje, duke i cilësuar si të papranueshme dhe duke theksuar se ato vijnë nga një grup i vogël njerëzish. Në një deklaratë më 4 gusht, Mickoski u bëri thirrje të gjithë tifozëve që të mbështesin ekipin kombëtar në mënyrë sportive dhe pa nxitje urrejtjeje.
Kujtojmë se kryeministri ishte i pranishëm në stadium në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë dhe nuk pati asnjë reagim.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’u bashkuar në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, sidomos për atë që ndodhi gjatë ndeshjes në Kumanovë,” tha ai.
Mickoski njoftoi gjithashtu se thirrjet ndaj shqiptarëve do të hetohen dhe do të sanksionohen, pavarësisht nga burimi i tyre. Zyrat e prokurorit kanë nisur një hetim për këtë incident.
Ministri i Sportit maqedonas, Borko Ristovski, tha se Ministria e Sportit nuk ka kompetenca për të ndërhyrë direkt ndaj tifozëve, por bëri apel për përgjegjësi dhe respekt në stadiume. Ai njoftoi se do të ndihmojnë në identifikimin e përgjegjësve dhe veprimin në përputhje me ligjin.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime deri në pesë vjet burg për nxitjen e urrejtjes racore, fetare ose etnike, sipas nenit 319, që do të jetë baza ligjore për hetimin në vazhdim.
Në këtë kontekst, thirrjet antishqiptare që u dëgjuan në Kumanovë si “një shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” dhe “dhomë gazi për shqiptarët” kanë shkaktuar shqetësim të gjerë dhe janë dënuar nga politikanë të shumtë si shkelje e rëndë e normave të bashkëjetesës dhe respektit në rajon.



