Është zbardhur deklarata e Imer Krrashit, i riu që përplasi 9 makina dhe një motor në tentativë për t’i ikur policisë. Ai është shprehur i penduar për ngjarjen, duke shtuar se ka qenë në gjendje ankthi dhe paniku. Ai po ashtu shton se do marrë përsipër të dëmshpërblejë pasojat e veprimeve të tij.

“Jam penduar për ngjarjen. Kam qenë në gjendje paniku dhe ankthi, nëna më vuan nga kanceri, ndërsa babai më ka ndërruar jetë pak kohë më parë të cilën e kam përjetuar keq. Marr mjekime për ankthin dhe depresionin. Kam qenë në gjendje të rënduar. Marr përsipër të dëmshpërblej pasojat e veprimeve të mia, të paguaj dëmet ndaj personave që janë lënduar apo dëmtuar mjetet”, ka deklaruar ai.

I riu u arrestua mesditën e 5 tetorit, pasi u kap duke qarkulluar me armë në makinë. 31-vjeçarit iu bë shenjë nga policia për të ndaluar, por ai nuk u bind dhe lëvizi me shpejtësi. Gjatë tentativës për t’u arratisur, ai është përplasur me disa makina dhe një motor, ku po udhëtonte një polic me bashkëshorten e tij. Pas një ndjekje intensive është bërë ndalimi i mjetit dhe gjatë kontrollit, Krrashit i është gjetur një armë zjarri pistoletë. Ndërkohë, polici i aksidentuar dhe gruaja e tij raportohet se janë në gjendje të rëndë.