Kompania pagoi 100 milionë dollarë në një kompani “konsulence” vendëse


Gjiganti ndërkombëtar i supermarketeve e përgatiti hyrjen e vet në tregun e Indisë duke paguar plot 100 milionë dollarë për një kompani konsulence vendëse, e cila nuk kishte asnjë të punësuar, nuk deklaronte fitime dhe dispononte të ardhura vjetore prej vetëm 14 mijë dollarësh.


Kompania, e quajtur Shërbimet Mbështetëse Cedar, tashmë është vënë nën hetim nga mbikëqyrësi i Indisë për krime financiare dhe ekziston dyshimi që këto fonde të jenë përdorur për të korruptuar qeverinë e Indisë para se kjo e fundit të lejonte hapjen e tregut të saj për rrjetet e huaja të supermarketeve.


Wal Mart tha se kishte vepruar në përputhje me rregullat e Indisë për investimet e huaja.


“Ky është tërësisht një kamuflazh”, tha Hitesh Jain, një konsulent në Mumbai. Arsyetimi ligjor aktualisht konsiston në faktin që Cedar kishte përfituar para për konsulencë në një sektor të ekonomisë indiane që në vitin 2010, kur u transferuan paratë, qe i mbyllur me ligj për investitorët e huaj.


Zyrtarë të lartë të qeverisë i thanë “Reuters” se Banka Qendrore e Indisë ka kërkuar të hetohet nëse ka pasur shkelje të ligjeve përmes investimit nga një rrjet i huaj supermarketesh para se investime të tilla të lejoheshin.


India mban që nga vitet ’50 rregulla të rrepta për investimet e huaja dhe ka filluar të hapë gradualisht ekonominë e vet pas viteve ’90. Nëse gjendet shkelje ligjore, Wal Mart mund të dënohet me gjobë deri në tri herë vlerën e investimit.


Gjatë viteve të fundit, qeveria e Indisë është kritikuar ashpër nga opozita për vendimin për hapjen e tregut me pakicë për investitorët e huaj dhe aktualisht është në vështirësi për shkak se nuk disponon mazhorancën e nevojshme në Parlament.


Rrjetet ndërkombëtare të tregtisë me pakicë kanë lobuar prej vitesh për të fituar akses në tregun e Indisë, të joshur nga klasa në rritje e mesme e këtij vendi, që pritet të jetë më e madhe në numër sesa Kina në një të ardhme të afërt. Por opozita politike në vend kundërshton ashpër për shkak të besimit se hyrja e Wal Mart do të nxjerrë miliona dyqane të vogla jashtë tregut.