Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth ka vizituar sot burgun e Zaharisë, në Krujë. Ambasadori Wollfarth ka vlerësuar përpjekjet që janë bërë në sistemin e burgjeve, përmes ndërtimit të mjediseve të reja dhe ngritjes së sistemit të ri të shërbimit të provës, por ka apeluar për përmirësimin e kushteve të jetesës së të dënuarve.


“Ka pasur përmirësime domethënëse në sistemin e burgjeve, përmes ndërtimit të mjediseve të reja dhe ngritjes së sistemit të ri të shërbimit të provës, ky i fundit me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së. Ne presim të shohim një përmirësim të mëtejshëm të shërbimeve mjekësore profesionale në të tërë sistemin e burgjeve, një fushë ku institucionet shqiptare duhet të bëjnë akoma përparim”, u shpreh ambasadori Wollfarth. Ai vlerësoi stafin e burgut për nivelin e lartë të përkushtimit profesional, megjithë kushtet shumë sfiduese dhe të vështira ku punojnë.


Në burgun e Zaharisë, në Krujë, vuajnë dënimin të burgosur me probleme mendore, për të cilët gjykata ka urdhëruar trajtim mjekësor të detyrueshëm.


7 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)