Reagimi për projektin: Do të ishte më mirë të gjendej balanca midis profesionistëve vendas dhe të huaj
Lorina Mixha
Xhamia e Namazgjasë, e cila pritet të nisë ndërtimin brenda muajit, ka ngjallur diskutime dhe ka çelur debat në radhët e urbanistëve dhe planifikuesve. Sipas Unionit të Urbanistëve Shqiptarë, do të ishte më mirë që ky objekt kulti të ndërtohej në një vend tjetër dhe jo te Namazgjaja, për shkak se lulishtja atje është historike dhe sepse brenda kurorës së qytetit gjejmë shumë objekte të tilla. Do të ishte më mirë sipas ekspertëve vendas që kjo xhami të ndërtohej në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës, projekt i parashikuar edhe në planin urbanistik, ndërkohë që do të sillej një plan më realist në rast se projekti i xhamisë do të ishte ndërtuar nëpërmjet një bashkëpunimi mes ekspertëve të huaj dhe vendas.
Unioni mirëkupton nevojën dhe dëshirën e respektuar të besimtareve myslimanë për të pasur një objekt kulti, sa më përfaqësues, në qendër të Tiranës; aq më tepër që edhe bashkësitë e tjera fetare i kanë selitë dhe tempujt e tyre kryesore në qendër të qytetit. “Megjithatë, ky nuk është një argument për të ngarkuar akoma më shumë qendrën e qytetit, e cila tashmë është mbingopur nga mania e gjithë institucioneve për të pasur një pozicion sa më qendror në qytet. Ka mjaft alternativa të tjera, po kaq dinjitoze! Për shembull, duke qenë se tashmë është miratuar edhe Plani Rregullues (PPV) edhe një masterplan për zgjatjen veriore të bulevardit kryesor të Tiranës, përtej stacionit të trenit, mendojmë se një tempull i kësaj rëndësie mund të gjente vendin e tij në këtë aks të ri, duke e kthyer atë në njërin nga monumentet që do të krijojnë pamjen e Tiranës së të ardhmes, dhe në një gjenerator të jetës urbane atje. Në të kundërt, vendndodhja dhe përmasat aktuale nuk mund të garantojnë standardet urbanistike, si për qytetin ashtu edhe për vetë xhaminë në fjalë”, sqarojnë urbanistët shqiptarë.
Sipas tyre, xhamia e re nuk është thjesht një objekt kulti “pronë” e komunitetit mysliman, por një shtëpi për të gjithë ata që besojnë, për dashamirësit, për vizitorët dhe turistët.
“Si e tillë, ajo përfaqëson një interes publik në vetvete. Por ky fakt nuk justifikon propozimin e ndërtimit në njërën prej pak lulishteve të mbetura brenda Unazës së Tiranës. Kjo, madje, është një lulishte historike, me peizazh të veçantë, me memorie të fortë të lidhur me formimin e shtetit shqiptar, si dhe me një funksion specifik historik të hapësirave fetare në natyrë të hapur siç ka qenë Namazgjaja. Ndërhyrja në këtë hapësirë delikate, me përmasën e objektit, përbën në vetvete një çështje të një rëndësie publike, e cila, për fat të keq, nuk është diskutuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të hapur duke mos dhënë argumente bindëse për humbjen e një tjetër hapësire të gjelbër në qytet”, sqaron Unioni i Urbanistëve.
Sipas ekspertëve vendas, edhe pse stili arkitektonik i përdorur i përket atij otoman dhe jo atij arab, fatkeqësisht dizajni i këtij projekti përfaqëson një shans të humbur për forcimin e identitetit të vetë Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe për shqiptarët në tërësi. “Xhamia në vetvete ka një rëndësi të madhe publike, ndërkohë që gjuha arkitektonike e përdorur duket sikur i përket më shumë një lagjeje periferike të Stambollit, dhe jo një simboli të shumëpritur “landmark” të kombit shqiptar e të Tiranës europiane, dhe aq më pak të myslimanizmit avangardë shqiptar.
Gjetja e një balance më të mirë midis profesionistëve vendas dhe të huaj do të mundësonte një zgjidhje më realiste dhe më të dobishme, që do të kishte më shumë mundësi të fitonte respektin e besimtarëve, të profesionistëve dhe të qytetarëve në tërësi”, sqarojnë urbanistët.