Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të prerë për të gjithë zaptuesit e hapësirave publike përgjatë Lungomares në Vlorë, duke u dhënë 48 orë afat për të larguar çdo ndërtim të paligjshëm dhe për të rikthyer trotuarët në funksion të qytetarëve dhe turistëve.

Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, Rama denoncoi një fenomen që ai e quajti “zaptimi i ri me pergolata”, duke theksuar se nuk ka asnjë të drejtë që i jep ndonjë ndërtuesi apo biznesi ekskluzivitet mbi tokën publike përreth pallateve.

“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite! Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!“-shkruan Rama.