Vetëm tre ditë para përfundimit të afatit zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë bërë publikë katër emrat e parë që pritet të garojnë për të pasuar kreun aktual, Altin Dumanin.
I pari që ka dorëzuar zyrtarisht platformën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë është prokurori Klodian Braho, aktualisht shef i seksionit kundër korrupsionit dhe “shpërdorimit të detyrës” në SPAK. Braho ka dorëzuar dokumentacionin që të premten, duke hapur zyrtarisht garën për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion në vend.
Tre kandidatët e tjerë që pritet të dorëzojnë dokumentet brenda afatit përfundimtar të 8 tetorit 2025 janë:
- Adnand Xholi, zëvendësdrejtues aktual i SPAK dhe një nga figurat më me përvojë në strukturë;
- Elvin Gokaj, prokuror në seksionin kundër korrupsionit;
- Doloreza Musabelliu, prokurore në seksionin kundër krimit të organizuar.
Kandidatura e Musabelliut përbën një risi, pasi për herë të parë një grua garon për postin e drejtuesit të SPAK.
Edhe pse afati i aplikimeve mbetet i hapur deri më 8 tetor, burime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëjnë me dije se nuk pritet të ketë kandidatë të tjerë përtej këtyre katër emrave. Procesi tashmë do të kalojë në fazën e verifikimit të platformave dhe CV-ve të dorëzuara, përpara se KLP të zhvillojë vlerësimin dhe intervistat me secilin kandidat.
Drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet nga radhët e prokurorëve të strukturës, për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje, me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sipas ligjit, gara për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme hapet tre muaj para përfundimit të mandatit të kreut aktual. Altin Dumani, i zgjedhur më 18 dhjetor 2022, është drejtuesi i dytë në historinë e SPAK, pas Arben Krajës.