Në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi i themelit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, ndërsa në sallë janë zhvilluar debatet e para mes mbrojtjes dhe akuzës për çështjen CEZ-DIA. Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në seancë, tha se pretendimet për përfshirjen e tij në çështjen CEZ-DIA bazohen te “gënjeshtra” dhe përmendi një email të vitit 2016, për të cilin pretendon se nuk përmend emrin e tij apo të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Më vjen keq që Dritan Prifti nuk është mes nesh, por gënjeshtrat e tij janë mes nesh. Ai ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA, por dokumentet tregojnë ndryshe. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA. Ka një email që dërgon Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës”, mësohet të ketë thënë Meta, sipas gazetares Anila Hoxha.