Janë zbardhur emrat e autorëve që dyshohet se vranë çiftin Mujeci ditën e djeshme në Lezhë.

Janë shpallur në kërkim Adriano Mhillaj 22 vjec, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ende nuk ka persona te shoqëruar si të dyshuar për këtë ngjarje.

Sipas korrespondentes së Top Channel në Lezhë, Brixhilda Deda, nga grupi hetimor në këtë ekzekutim kanë marrë pjesë dy makina, një e zeze dhe një gri. Nga ajo çka duket, njëra prej makinave është pa targa dhe ngjyrë e zeze.

Dyshohet se ka qenë pikërisht ky mjet ai që i ka prerë rrugën mjetit të Mujecit. Më pas dyshohet se një person në të ka qëlluar më shumë se 30 herë.

Një pjesë e plumbave kanë kapur edhe ambiente përreth mjetit dhe anës rrugës. Burimet bëjnë me dije se Mujeci është ndjekur për një distancë të konsiderueshme nga autorët, derisa ata kanë gjetur momentin dhe vendin e duhur për të kryer masakrën.

Burime tregojnë se Mujeci kishte disa vende të sigurta dhe qëndronte gjithmonë i shoqëruar me gruan e tij Gentjanën. Familjaret kanë hapur dyert e mortit pranë baneses së tyre në Koljakaj. Çifti kishte katër fëmijë.