Borxhi
Kolapsi financiar që ka përfshirë sektorin energjetik nxjerr në dritë të tjera fakte mbi mënyrën se si është administruar ky sektor. “Top Channel” zbardh kontratat e lidhura mes kompanisë CEZ dhe disa kompanive private për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë. Dokumentet tregojnë se nuk bëhet fjalë për biznes të thjeshtë mes privatësh, por në fokusin e kontratave ka qenë mbledhja e borxheve të institucioneve shtetërore, që administrohen me para publike nga buxheti ose jo. Kontrata e parë është e lidhur me një shoqëri të quajtur “CE2 Service”, me administrator Ervin Kajno dhe përfaqësues Endrit Alikaj. Kontrata përcakton të detajuar shërbimin që do kryhet, por edhe tarifat përkatëse. Sipas saj, për çdo borxh të mbledhur nga institucionet shtetërore për llogari të CEZ, kompania përfiton 28 për qind të vlerës, në rastin kur shuma e rikuperuar është detyrim dhe 50 për qind të vlerës në rastin kur ajo është kamatëvonesë.
Për “Albpetrol”-in, kontrata parashikon tarifa edhe më të larta. Sipas saj, për mbledhjen e faturave të papaguara të “Albpetrol” kompania “CE2 Service” përfiton 32 për qind të detyrimit dhe 50 për qind të kamatëvonesave.
Kontrata e dytë është e lidhur me një shoqëri të quajtur “MERCL Konsalting”, e cila ka pasur në fokus rikuperimin e borxheve të vogla deri në 150 mijë euro me tarifë suksesi 49 për qind. Pak muaj më parë, përfaqësues të opozitës kanë akuzuar publikisht se kompanitë e krijuara për mbledhjen e borxheve zotërohen nga biznesmenë të afërt me qeverinë, që duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin diktojnë marrëveshje mes CEZ dhe institucioneve publike për përfitime korruptive.