Qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme të mbështesë me 100 milionë lekë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Vendimin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në përfundim të mbledhjes së ekzekutivit.

“Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekësh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo tha gjithashtu se me vendim qeverie, administrata do të eliminojë letrat dhe të gjitha praktikat e shkresave do të bëhen online.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi miratimin e vendimit për shpërndarjen e teksteve falas dhe të reja për klasat e katërta dhe të pesta, duke e shtrirë në gjithë arsimin fillor këtë praktikë.

“Me vendimin e sotëm miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat e katërta dhe të pesta të arsimit fillor, të teksteve të reja falas. I kishim falas për klasat e para, të dyta dhe të treta, ndërsa me vendimin e sotëm shtuam dhe me financim të Ministrisë së Arsimit rreth 43 milionë lekë të reja, tekstet falas çdo vit për klasat e katërta dhe të pesta, falas. Bëhet fjalë për rreth 9 mijë nxënës dhe kur flasim për anën financiare, edhe për familjet e tyre që do të përfitojnë tekstet falas, duke mos i pasur barrë në buxhetin e tyre dhe as nuk do t’i marrin të përdorura”, tha Kumbaro.

Sa i përket paketës së maleve, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo se janë miratuar zonat prioritare në kuadër të Paketës së Maleve në katër bashki.

Sipas tij, bëhet fjalë për bashkitë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë, të cilat i janë bashkuar procesit të identifikimit të zonave me prioritet zhvillimi.

“Numri i aplikimeve në territor është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka kaluar mbi 500, edhe për faktin se çdo javë po shtohen bashki të reja”, u shpreh ai.