Një 24-vjeçare është arrestuar si shkaktare e aksidentit të ndodhur në Pogradec, ku humbi jetën një 80-vjeçar. E reja u arrestua në vendin e ngjajres, pasi përplasi me makinën e saj tip “Benz” të moshuarin që po kalonte rrugën.

Ngjarja u regjistrua pasditen e sotme aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Udënisht. I moshuari mori plagë të rënda dhe pavarësisht se u transportua te Trauma për mjekim të specializuar nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë sot për një aksident të ndodhur në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Udënisht, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetases E. S., 24 vjeç, banuese në Udënisht, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Kjo shtetase duke drejtuar automjetin ka përplasur këmbësorin Z. D., 80 vjeç, banues në Udënisht, i cili u dërgua për mjekim të specializuar në Tiranë, ku më pas ka humbur jetën.