Policia e Sarandës ka zbardhur atentatin me eksploziv të ndodhur në muajin shkurt të këtij viti në Konispol, ku objektiv ishte një 57-vjeçar.
Sipas policisë, pas hetimeve intensive janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Në kërkim janë shpallur shtetasit G.T., 39 vjeç dhe Xh.B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë. Për ta, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Nga hetimet rezulton se dyshohet që autorët kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M.Gj., 57 vjeç, me qëllim eliminimin e tij. Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi i policisë:
Tentuan të vrisnin me eksploziv një 57-vjeçar në muajin shkurt të këtij viti. Pas hetimeve intensive, zbardhet ngjarja, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar.
Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve: G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij. Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
