Prokuroria e Posaçme ka zbardhur ditën e sotme detaje nga atentati i ndodhur në Elbasan, ndaj Ardian Çapjas.

Sipas SPAK, nga dinamika e zbardhur rezulton se Suel Çela është personi që ka urdhëruar ekzekutimin, ndërsa Prekë Kodra nga Shkodra është snajperisti që ka qëlluar ndaj Çapjas. Pas aksionit të policisë, SPAK lëshoi urdhër arreste ndaj 21 personave, në mesin e tyre është edhe Prekë Kodra.

Mes të arrestuarve të tjerë ishin anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë. Sipas SPAK, kjo organizatë kriminale në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Vetë Çela kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal, i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i tij. I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.