Prokuroria e Fierit ka arritur të zbardhë të plotë ngjarjen e ndodhur një vit më parë në Fier, ku u plagos Suzana Mërnica teksa ndodhej me të birin, Hysen Mërnica. Sipas dosjes, autorë të atentatit ishin babë e bir Afrim dhe Ali Cimili, teksa shënjestër ishte djali i 50-vjeçares.

Babë e bir organizuan atentatin ndaj Hysen Mërnicës për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishin me të. Ata dyshohet se i kanë zënë pritë këtij të fundit, ndërsa ai po lëvizte me motomjet së bashku me nënën e tij, Suzana Mërnica.

Nga provat e administruara rezulton se autorët kanë qëlluar në drejtim të Hysen Mërnicës nëntë herë, ndërsa ishin në lëvizje me dy automjete të ndryshme. Sipas dosjes hetimore, njëri prej tyre drejtonte një automjet tip “Toyota” dhe qëllonte me armë zjarri, ndërsa tjetri, në një automjet tip “Mercedes-Benz”, ka përdorur pistoletë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.C dhe A.C (babë e bir) për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit H.M.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.C.dhe A.C. (babë e bir) për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga nenet 78, 25, 22 dhe 278, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.474, rezultoi e provuar se të pandehurit A.C dhe A.C, për shkak të një konflikti të mëparshëm midis të pandehurit A.C (i biri/djali) dhe viktimës H.M, në drejtimin e dy automjeteve të ndryshme, i kanë zënë pritë viktimës H.M, i cili po lëvizte me një motomjet së bashku me nënën e tij S.M, duke e qëlluar 9 (nëntë) herë gjatë kohës që ishin në lëvizje me automjetet respektive.

Konkretisht, i pandehuri A.C., pak përpara se të ndodhte ngjarja ka qenë së bashku me të atin e tij, të pandehurin A.C. Gjatë kësaj kohe janë shkëmbyer në rrugë me viktimën H.M dhe konstatuar itenerarin e tij të lëvizjes. Në këto rrethana, dy të pandehurit së bashku kanë përgatitur kushtet për kryerjen e veprës penale dhe kryer atë. I pandehuri A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Toyota”, ka qëlluar me armën zjarri  kundrejt viktimave, kurse i pandehuri tjetër A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Mercedes-Benz”, ka qëlluar me armën tip pistoletë kundrejt viktimave.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.