Ervis Basha është 20-vjeçari, i cili u arrestua në flagrancë në Kamës nga blutë e kreyqytetit, pasi po qarkullonte me automjetin e tij, i veshur me uniformë policie dhe stema zyrtare. Burime bëjnë me dije se përballë togave të zeza, i riu është shprehur se 4 muaj më parë ka qenë polic bashkiak, detyrë të cilën, sipas tij, e ka lënë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Gjatë dëshmisë, 20-vjeçari ka insistuar në pasionin e tij për të qenë pjesë e uniformave blu, duke shtuar se kjo ishte arsye pse ishte i veshur si polic. Ndërkohë, lidhur me armën e gjetur, i riu ka sqaruar se është imitim, ndërsa makinën e kishte marrë me qira në Astir.
“Para 4 muajsh kam qenë punonjës i policisë bashkiake Tirane por e lashë këtë detyrë për tu bërë pjesë e policisë së Shtetit. Kam aplikuar për t’u bërë pjese e policisë, por nuk i kam kaluar të gjitha etapat e kualifikimit për t’u bere pjese e kësaj strukture. E kam pasion për të qenë punonjës policie për këtë arsye i kam mbajtur këto veshje. Ne lidhje me armen qe i është gjetur është armë imitim te cilën e kam blerë në faqe interneti Temu. Dokumentet e identifikimit i kam printuar kur ka qenë në punë në policinë bashkiake dhe i ka plastifikuar ne kancelari të cilat nuk i mbaj mend se ku i kam bërë, por ato janë fotokopje. Automjetin e ka marrë me qira ne Astir. Shpjegime të mëtejshme do i jap në një moment të dytë përpara gjykatës”, ka dëshmuar 20-vjeçari.
20-vjeçari është nën hetim për “falsifikim të dokumenteve”, “mbajtja pa të drejtë e uniformes” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve të gjuetisë dhe sportive”.
Brasha u arrestua të dielën, pasi u ndalua nga patrulla e Komisariatit të Policisë Nr. 5, teksa lëvizte me një automjet tip “Mercedes-Benz” në bulevardin “Nënë Tereza”, i veshur me uniformë dhe stema policore të ngjashme me ato zyrtare.
