Zbardhet dinamika e plotë të tragjedisë së ndodhur në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ngjarje që u mbyll me tre viktima.

Sipas informacioneve të siguruara dhe dëshmive të mbledhura, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, është futur i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka. Në ato momente, bashkëshortët Kosta(Arben) dhe Belere Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë.

Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori ka hapur zjarr ndaj çiftit. Kosta Plaka ka humbur jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Belerie Plaka, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas krimit, 35-vjeçari ka marrë me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej nëntë vitesh, dhe është larguar nga pjesa e pasme e banesës. Më pas ai është drejtuar drejt fshatit Kurjan, ku pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e policisë, e ka lënë të renë të lirë dhe pa lëndime.

Operacioni për kapjen e autorit vijoi për disa orë. Pavarësisht negociatave të pandërprera me efektivët e Policisë së Shtetit, që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje.

Një histori e nisur vite më parë si një lidhje mes dy të rinjve përfundoi në mënyrën më tragjike, duke lënë pas tre viktima dhe dy familje të shkatërruara.