Një atentat i dyshuar është parandaluar në sekondat e fundit mesditën e së shtunës në Elbasan. Ermir Bitoci dyshohet se është ndjekur nga një person sapo ka dalë nga një lokal i njohur i qytetit dhe më pas është kërcënuar me armë zjarri.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 14:50, ndërsa kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm po ndihmojnë policinë të rindërtojë lëvizjet e personave të përfshirë.

Nga pamjet e administruara deri tani, Bitoci, i veshur me një bluzë të zezë, shihet fillimisht duke qëndruar brenda lokalit. Pas disa minutash ai ngrihet nga tavolina dhe drejtohet drejt daljes.

Në të njëjtin ambient ndodhej edhe personi që dyshohet se tentoi ta sulmonte. Ai ishte ulur në shoqërinë e një gruaje, por sapo Bitoci largohet nga lokali, ngrihet dhe del menjëherë pas tij.

Jashtë lokalit situata përshkallëzohet. I dyshuari, i veshur me bluzë të bardhë, i afrohet Bitocit nga pas dhe dyshohet se i vendos pistoletën në pjesën e pasme të kokës.

Hetuesit po verifikojnë një element që mund të rezultojë vendimtar për kualifikimin e ngjarjes: dyshohet se autori ka tentuar të qëllojë, por arma mund të jetë bllokuar.

Bitoci ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur të largohet nga vendi, duke i shpëtuar sulmit pa pësuar dëmtime.

Ekspertiza e armës dhe provat e tjera të mbledhura pritet të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.

Policia po analizon të gjithë itinerarin e regjistruar nga kamerat e sigurisë, për të kuptuar nëse sulmi ishte planifikuar më herët dhe nëse Bitoci ishte ndjekur qëllimisht nga personi i dyshuar.

Paralelisht po merren në pyetje dëshmitarët që ndodheshin në lokal në momentin e incidentit. Ende nuk është bërë i qartë motivi që mund të ketë çuar në përplasjen mes tyre.

Ermir Bitoci është një emër i njohur në Elbasan. Ai është përmendur ndër vite në lidhje me episode të periudhës së trazuar 1997-2000, ndërsa më pas raportohet se pjesën më të madhe të kohës ka jetuar jashtë Shqipërisë.

Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrethanave, motivit dhe personave të përfshirë në ngjarje.