Është zbardhur dinamika e vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, në fshatin Salari të Tepelenës, mbrëmjen e së premtes.
Nga hetimet ka rezultuar se Gazmend Braçi kishte marrë makinën e një çobani në zonë dhe kishte dalë për gjueti bashkë me tre shokë. Ndërsa, autori i dyshuar Kamber Sulçaj, që kishte një fermë mes fshatrave Nivicë-Bolen po udhëtonte me makinën e tij, kur u shkëmbye me Bracin dhe kanë debatuar ashpër për dritat e gjata.
Ai e ka ndjekur Bracin dhe miqtë e tij nga pas dhe i ka parakaluar. Afër fshatit Salari, në vendin e quajtur Qafa e DIlanit, makina që drejtonte Gazmend Braci ka pësuar defekt dhe ai bashkë me shokët ka mbetur në mes të rrugës. Braçi ka telefonuar babain e tij Eqeremin dhe i ka kërkuar që të shkonte t’i merrte. Eqerem Braçi sipas hetuesve është nisur me makinën e tij, ndërsa biznesmeni Italian Sarchi është nisur me automjetin e tij.
Kur ata janë afruar tek makina që kishte defekt, në drejtim të tyre është qëlluar me armë. Nga plumbat janë dëmtuar gomat e makinës, ndërsa italiani ka marrë vetëm një plumb.
Në vazhdim për më shumë se 15 minuta, Sulçaj ka qëlluar me armë në drejtim të tyre, duke mos iu dhënë asnjë mundësi të lëviznin. Më pas Sulcaj është larguar me makinën e tij dhe një zonë të thellë malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë, ka fshehur automjetin dhe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit.
Pranë tyre, në shkurre, u zbulua edhe një çantë me mjete të dyshimta, përfshirë dylbi me rreze infra, dylbi termike, mbajtëse arme dhe një elektrik dore. Ndërsa në banesën e Kamber Sulçaj në Mesaplik, u gjetën dhe sekuestruan 2.5 milion lekë, dy kasaforta të mbyllura dhe armë gjahu. Sulçaj është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së biznesmenit, ndërsa vijon aksioni për kapjen e tij.