Është zbardhur dosja hetimore e SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë, që çoi pas hekurave Jamarbër Malltezi dhe iu caktua masa ‘detyrim paraqitje’ ish-kryeministrit Sali Berisha, nën akuzën për korrupsion.

Sipas dosjes, Fatmir Mediu, asokohe ministri i Mbrojtjes, në vitin 2005, vetëm një muaj pasi kishte marrë detyrën, i bën një kërkesë Genc Rulit për çështjen e privatizimit të këtij klubi.

Në dosje sqarohet se një pjesë e këtyre pronave, mes tyre edhe ish-kompleksi, vijonin t’i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes, duke iu referuar Listës së Pronave sipas Planit të Përhapjes dhe në Përdorim të Forcave të Armatosura.

Por si iu hap rrugë privatizimit të ish-kompleksit?!

Në vijim, lidhur me këtë pengesë, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i Dekretuar nga Presidenti i Republikës më datë 07.09.2005 (Dekreti nr. 4646), një muaj pasi kishte marrë detyrën, me shkresën nr. 9549/1 prot date 12.10.2005, i drejtohet METE-s, ministrit Genc Rulitit, duke i bërë me dije se, Ministria e Mbrojtjes krahas pronësive të tjera të përcaktuara në VKM nr. 515 date 18.07.2003 ka në administrim edhe terrenet sportive ku është vendosur Klubi i Futbollit Partizani. Nga studimi i bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, baruar në strategjinë e zhvillimit te FA dhe në kuadër të ristrukturimit të tyre, është konkluduar se këto terrene të mos përfshihen në planet e përhapjes së FA-ve. Ne këto kushte gjykojnë të nevojshme që të merren hapa të mëtejshme për sa i përket mënyrës dhe përgjegjësisë së administrimit të kësaj pronësie. Për sa më sipër kërkojnë mendimin e METE për veprime të mëtejshme në lidhje me administrimin e kësaj prone”, sqarohet në dosje.

SPAK sqaron mes të tjerash se; “Shkresa me nr. 48/1 prot date 16.01.2006 e Shefit të Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes vjen në kundërshtim me një shkresë tjetër e konkretisht atë me nr. 8138/1 prot date 05.10.2006 te Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, drejtori Maliq Xhebra, i cili i është drejtuar Komandës Mbështetëse Logjistike duke bërë me dije se me shkresën nr. 6932 date 09.08.2006, SHPFA ka dërguar të miratuara listat e pronave sipas destinacionit, ku në listën e pronave që përfshihen në planin e përhapjes është edhe prona me emërtimin Klubi i Futbollit Partizani, në përgjegjësi administrimi të KML-se. Sipas shkresës SHPFA lista është hartuar duke mbajtur parasysh Planin e Përhapjes së miratuar me shkresën nr. 231/3 datë 29.03.2006 si dhe nevojat e FA. Para miratimit te listave nga SHPFA lista e pronave të KML është miratuar paraprakisht edhe nga ana e Komandës Mbështetëse. Gjithashtu, kjo shkresë bie në kundërshtim edhe me Listën e Pronave sipas Planit 18 Përhapjes dhe në Përdorim të Forcave të Armatosura, nr. 6932/3 prot date 09.08.2006, te miratuar nga zv. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Luan Hoxha.”.

Po ashtu, SPAK sqaron dhe momentin kur Malltezi merr tagrin e përfaqësimit të familjeve pronare të ish-kompleksit.

“Pas konfirmimit të mësipërm të Ministrisë së Mbrojtjes, me shkresën nr. 48/1 prot date 16.01.2006, rezulton se shtetasi Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i shtetases Argita Malltezi (vajza e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në ketë kohë, shtetasit Sali Berisha), merr përsipër tagrin e përfaqësimit, për t’u lidhur me firma ndërtuese apo përfaqësim në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Te përfaqësuarit i kanë dhënë tagra të ndryshme shtetasit Jamarbër Malltezi, ku ndër të tjera vënë në dispozicion të këtij të fundit, 3-5% të pasurisë së tyre të paluajtshme, për krijimin e një fondi rezervë për përballimin e shpenzimeve emergjente dhe të paparashikuara. Megjithatë, nisur nga tagrat e dhëna, që është lidhja me firma ndërtuese apo nënshkrimi i kontratës së parë që vë në dispozicion firma ndërtuese për truallin e tyre, nuk rezulton e qartë se cilat do te ishin shpenzimet emergjente dhe të paparashikuara, në kuadër të të cilave do të jepeshin shtetasit Jamarbër Malltezi këto pjesë të pasurive së paluajtshme.

Për më tepër, siç rezulton nga parashtrimi në vijim, firma ndërtuese i përket pikërisht një trashëgimtari tjetër të këtyre familjeve, që është shtetasi Fatmir Bektashi, i cili edhe ai si vetë të përfaqësuarit me sipër, ka interes në ndërtime të mundshëm në këto territore.”, sqarohet në dosje.