Grupi Parlamentar i PD i është drejtuar me një letër Trupit Diplomatik në Tiranë pas seancës së sotme plenare.

Në seancën e sotme, e cila ishte parashikuar për të zgjatur dy ditë por u mbyll në 25 minuta, deputetët e opozitës penguan fjalën e Ramës në foltore, dhe më pas e gjuajtën atë me librin e Kushtetutës.

Kështu kreu i Kuvendit njoftoi se nuk do të kishte më diskutime dhe u kalua direkt në votimin e programit të qeverisë për katër vitet e ardhshme, që u miratua me 82 vota pro.

Dokumenti që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, flet për “situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të thirrur për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar”.

Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe përçarëse, thuhet më tej në letër.

“Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë flagrante dhe përçarëse.

Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare, debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike”.

TopChannel