Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka kërkuar dy interpelanca me kryeministrin Edi Rama për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. Në shkresën e parë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi për interpelancën me kryeministrin, Shehaj kërkon të dijë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e ndërtesave të shembura deri më tani.
“Duke pasur parasysh numrin e madh të ndërtimeve pa leje si dhe duke pasur parasysh prishjet e ndodhura në muajt e fundit, dëshiroj të di se cilat janë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e ndërtesave të shembura, si në zonën e Thethit, bregdetit dhe gjithë territorit? Mbetem në pritje të caktimit të datës së interpelancës në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit.”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesën tjetër për interpelancë me Ballukun, ai kërkon përgjigje për tre pyetje lidhur me rrugën Thumanë-Kashar.
“A ka llogaritur ministria juaj se cili është raporti mes investimit dhe fitimit të kompanisë përgjatë 35 viteve të operimit të aksit Thumanë- Kashar? Cila është arsyeja e zgjatjes së këtij koncensioni, nga 13 vjet i kërkuar nga oferta e pakërkuar, në 35 vite nga ana e Qeverisë? A do të përdorni të njëjtin model me akset e tjera, nga Kashari në Fier apо Thumanë-Balldren”, thotë Shehaj në kërkesën drejtuar Kuvendit.
Aksioni kundër ndërtimeve pa leje që nisi në verë. Më 3 tetor, kryeministri Edi Rama prezantoi masat e reja për mbrojtjen e pronës dhe territorit, të cilat hynë në fuqi nëpërmjet një akti normativ. Paketa përfshin një listë të zezë për ndërtuesit pa leje dhe 5 vite përjashtim nga marrja e lejes. Në ndërtimet që tejkalohet leja në masën 2-10%, shtesa e bërë pa leje do konfiskohet për interes publik, ndërsa kur tejkalohet me 10%, do konfiskohet i gjithë ndërtimi.
