Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar në Mamurras, ku mbeti i plagosur një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas policisë, pas shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, u lokalizua Leonard Dema, 23 vjeç, i lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Trentos në Itali për tentativë vrasjeje.
Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pranë një karburanti në aksin “Mamurras–Laç”. Në momentin e ndërhyrjes, i riu, i cili lëvizte me automjet dhe shoqërohej nga shtetasi A. F., dyshohet se ka tentuar të përplasë efektivët me makinë, duke rrezikuar jetën e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, personi që ndodhej me të i ka drejtuar armën e zjarrit policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur në kushtet e vetëmbrojtjes, duke plagosur Leonard Demën.
23-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin A. F., 28 vjeç. Gjatë operacionit është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë.
Hetimet për ngjarjen po vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë.
