Policia e Krujës ka zbardhur pengmarrjen e një të mituri, ngjarje e ndodhur më 1 gusht 2025, në aksin rrugor “Fushë Krujë-Vorë”. Një i mitur u mbajt peng nga katër persona, për motive të dobëta. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe me urdhër të Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan shtetasit: E. K., 33 vjeç, banues në Krujë dhe D. K., 22 vjeç, banues në Krujë.

Ndërkohë, u shpallën në kërkim: E. K. (shtetas tjetër) dhe A. Z.. Sipas hetimeve, ngjarja ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta. Dy të arrestuarit kanë rrëmbyer një shtetas të mitur dhe i kanë kufizuar lirinë në mënyrë të paligjshme.

Pas kallëzimit të bërë, dy shtetasit në kërkim kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të miturit, si dhe ndaj dy shtetasve të tjerë (njëri 22 dhe tjetri 36 vjeç), të cilët ndodheshin me të, me qëllim që të tërhiqnin allëzimin në polici.Policia ka nisur punën për kapjen e dy autorëve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Krujë, për veprime të mëtejshme.