Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e sotme në dalje të fshatit Kutalli, në bashkinë Dimal, ku një person i shoqëruar nga policia plagosi një efektiv me armën e shërbimit.
Sipas informacioneve paraprake, Zamir Skënderi, person me precedentë penalë, ishte konfliktuar më herët gjatë ditës në ambientet e Prokurorisë së Fierit dhe ishte shoqëruar nga policia.
Për shkak se 45-vjeçari ishte banues në Kuçovë, Drejtoria Vendore e Policisë Fier kishte kërkuar nga Komisariati i Policisë Kuçovë të dërgonte një patrullë për ta marrë.
Gjatë kthimit në aksin nacional Fier–Dimal, në dalje të fshatit Kutalli, Skënderi, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit të policisë pranë efektivit Arsen Toska, 20 vjeç, i ka marrë armën e shërbimit dhe e ka qëlluar në kofshë.
Në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja, 45-vjeçari është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Polici i plagosur fillimisht u transportua drejt Spitali Rajonal Berat për ndihmën e parë, ndërsa më pas u dërgua në Spitali i Traumës për trajtim të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe inspektorë të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, të cilët po kryejnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
