Vrasja e Antonio Karafilit, e ndodhur shtatë vite më parë, është zbardhur më në fund. Sipas hetimeve të përfunduara, autorët e ngjarjes janë ish-e dashura e tij, Kejsi Spahillari, dhe partneri i saj, Rezhep Vathi.

Avokati i familjes së viktimës, Arben Llangozi, ka rrëfyer për emisionin “Top Story” se procesi gjyqësor ishte shoqëruar me kaos për shkak të trillimeve dhe manipulimit të provave.

Ai ka treguar gjithashtu reagimin e prindërve të viktimës pas marrjes së lajmit se çështja ishte zbardhur. “Ditën e parë që fola me prindërit e viktimës pas marrjes së njoftimit për përfundimin e hetimeve, nëna ishte e mërzitur sepse nuk e priste që kjo çështje të ishte kryer nga ana e vajzës, pastaj edhe historia që u zbulua,” u shpreh avokati Llangozi.

Ai shtoi se, një ditë më vonë, nëna e viktimës e kishte pranuar me qetësi lajmin: “Më tha: ‘Të paktën u lehtësova që mora vesh të vërtetën dhe gjithë ky mundim ia arriti qëllimin. Nuk kthehet më djali, por drejtësia do të vihet në vend, dhe kjo më bën më të qetë.’”

Sipas avokatit, mënyra se si ishte inskenuar ngjarja përmbante shumë enigma, trillime dhe manipulim të provave të ndryshme, duke krijuar një kaos të qëllimshëm për të fshehur të vërtetën.