Policia e Tiranës ka zbardhur konfliktin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Frosina Plaku”, ku disa persona u përfshinë në një përplasje me sende të forta dhe mjet prerës.
Sipas njoftimit zyrtar, pas veprimeve hetimore të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, u dokumentuan rrethanat e ngjarjes dhe u arrestuan në flagrancë tre shtetas.
Në pranga ranë Luciano Nurçja 46 vjeç, Albert Lika, 44 vjeç dhe Enea Kurt, 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, shtetasi A. I., 33 vjeç, i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit dhe ndodhet i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve, është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një 17-vjeçar, E. L., i dyshuar për “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si edhe për “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
NJOFTIMI:
Tiranë/Dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Frosina Plaku”
U konfliktuan me sende të forta dhe mjet prerës, për motive të dobëta, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në hyrjen e një parkimi të një pallati, në rrugën “Frosina Plaku”, disa shtetas ishin konfliktuar me sende të forta dhe njëri prej tyre kishte përdorur mjet prerës, organizoi menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u dokumentua ngjarja dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 46 vjeç, A. L., 44 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. I., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 17 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
