Deputeti Ervin Salianji tha se nuk mund të ketë negociata me ultimatume, ndërsa u shpreh duhet të ulen dhe të diskutojnë për tu bashkuar.

‘Është momenti për të reflektuar, dhe kushdo që ka ambicie të bëjë një hap pas. Besoj se do të arrihet në konkluzion për ti hapur rrugë negociatave për të bashkuar PD-në. Nuk duhet të vendosim ultimatume. Nuk pati propozime për emra konkretë dhe as vendosje për emra. Këtu të gjithë e kanë përjashtuar njëri tjetrin, të ulemi dhe të diskutojmë. Ne na bashkojnë shumë më shumë gjëra se na ndajnë.’- tha Salianji.

Në orët e vona ka përfunduar dhe mbledhja e kryesisë së PD-së, në të cilën theksohet se  nuk duhet të ketë përçarje mes PD dhe grupimit të Rithemelimit.

Ata kanë vendosur tre kushtet për bashkëpunimin mes palëve.Kryesia e PD apelon që të ndërpriten menjëherë proceset e njëanshme të cilat jo v etëm që nuk ndihmojnë në bashkimin e partisë por edhe e përçajnë më shumë.

 

QËNDRIM I KRYESISË SË PARTISË DEKOKRATIKE, 23 MARS 2022

1. Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.

2. Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.

3. Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune ti’ bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH.