Janë zbardhur zhvillime të reja për vrasjen e Edmir Bregut të ndodhur në vitin 2021 në Durrës. Sipas SPAK, në ekzekutimin e tij morën pjesë Alfred Doka dhe Ermir Dedja, ndërsa porositësi dyshohet të ketë qenë Astrit Avdylaj, si akt hakmarrjeje për tentativën e vrasjes së nipit të tij, Aldo Avdylaj. Aktualisht, Alfred Doka është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, është mësuar se vetë Ermir Dedja ka gjetur vdekjen në maj 2025, i ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në Durrës. Ai u qëllua pranë një qendre shëndetësore, teksa lëvizte në këmbë, nga autorë ende të paidentifikuar që përdorën një makinë tip Seat.
Policia ka identifikuar 5 persona të përfshirë në ngjarje. Dy prej tyre, Erion Ndoni (36 vjeç) dhe Klodian Berisha (35 vjeç), janë arrestuar me akuzën e kontrabandimit të automjetit të përdorur nga autorët. Në kërkim është shpallur Xhuljano Dyrmishi (33 vjeç), i dyshuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe për kontrabandë mallrash.
Gjithashtu, në hetim janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë – një shqiptar dhe një shtetas maroken – të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për atentatin.