Hetimet për ngjarjen e rëndë në Lozhan, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbuluar detaje të reja mbi arsenalin që posedonte Violand Braçellari.
Sipas burimeve hetimore, në stanin ku fshihej Braçellari janë gjetur tre armë zjarri: kallashnikovi me të cilin ai qëlloi ndaj forcave të policisë, një pushkë model 56 dhe një armë gjahu tip çifte. Gjatë kontrolleve nuk është gjetur municion, çka i bën hetuesit të dyshojnë se ai ka përdorur të gjithë sasinë e municioneve që kishte në dispozicion gjatë përplasjes me efektivët.
Në vendin ku qëndronte i shumëkërkuari, policia ka gjetur gjithashtu edhe një radio policie. Burimet bëjnë me dije se gjatë operacionit efektivët kanë fikur radiot e tyre për të shmangur çdo mundësi ndërhyrjeje apo përgjimi nga pajisja që dispononte Braçellari.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbi zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk kanë evidentuar shkelje.
Sa i përket debatit mbi mungesën e përfshirjes së forcave RENEA apo të Forcës Operacionale, grupi hetimor vlerëson se Policia e Korçës ka bërë një analizë të drejtë të nivelit të rrezikshmërisë së Braçllarit. Sipas të dhënave, ai ishte i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe nuk rezultonte i dënuar për krime të rënda kundër jetës.
Hetuesit theksojnë se aktivizimi i forcave speciale RENEA bëhet mbi bazën e vlerësimit të çdo rasti konkret dhe nuk përbën një procedurë të detyrueshme për çdo operacion policor.
