Ne kemi analizuar me kujdes edhe rregulloret e Bashkimit Evropian për metalet në produktet ushqimore. Rregullorja numër 465, e vitit 2023 përcakton nivelet e lejuara. Ajo tabelë, është marrë edhe nga Shqipëria në udhëzimin numër 4, datë 9 Shkurt 2024. Në të dy rastet për drithërat dhe produktet me bazë drithërat, nuk ka të përcaktuar një nivel apo normë për arsenikun.

Aty përcaktohen nivele 0,15 miligram/kg për oriz të bardhë, 0,25 miligram/kg për oriz të papërpunuar dhe deri në 0,30 miligram/kg për produkte të tjera bazë të orizit. Këto kufizime ekzistojnë sepse orizi dhe produktet e tij janë burime kryesore kontribuuese ndaj ekspozimit të arsenikut në dietë. Në rastin e Bashkimit Evropian, kur flitet specifikisht për bukën është e papranueshme që të ketë arsenik inorganik në bukë dhe ndaj nuk e ka përcaktuar. Në rastin e vendit tonë duket se kjo nuk ka shqetësuar institucionet dhe nuk e kanë parë të arsyeshme të përcaktojnë një nivel, por kanë marrë si referencë vlerat e përcaktuara për orizin.

“Ne po shohim arsenikun që patjetër kërkon vëmendje për t’u parë se ku ndodhet dhe nëse ne kemi një legjislacion të papërditësuar me BE duhet ta bëjmë dhe kjo bëhet për shëndetin e njerëzve. Të jemi shumë të artë që siguria ushqimore dhe shëndetësia këtu kanë një lloj hendeku, mjekësia tenton të shkojë te minimumi i mundshëm, mundësisht 0 në këto lëndë që quhen toksike, siguria ushqimore shpesh herë nuk arrin 0 dhe entet rregullatore vendosin sasia limite“, u shpreh mjeku, Ilir Alimehmeti.

Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore ka përcaktuar se arseniku inorganik është një ndotës toksik dhe kancerogjen. Për këtë arsye, EFSA përdor të dhëna epidemiologjike për të identifikuar se edhe doza shumë të ulëta mund të lidhen me rritje të riskut.

EFSA: Arseniku gjendet natyrshëm në tokë dhe ujëra nëntokësore. Arseniku inorganik mund të shkaktojë kancer të lëkurës, fshikëzës urinare dhe mushkërive dhe EFSA llogariti vlerat për këto efekte midis 0.3 dhe 8 mikrogramë/kg peshë trupore në ditë, duke theksuar një rrezik të mundshëm për konsumatorët në bazë të ekspozimit të vlerësuar.

“Ne mund ta marrim përmes ujit, ne nuk e dimë analizat e ujit në Tiranë në të gjithë Shqipërinë ne nuk e dimë, unë për vete nuk e di se sa është prezenca e metaleve të rënda”-, u shpreh Ilir Pecnikaj, kimist.

Nëse marrim për analizë një person me peshë trupore 100 kilogramë, niveli maksimal i lejuar është 800 mikrogramë arsenik përmes ushqimit. Tani, nëse konvertojmë rezultatin e analizës sonë prej 0,266 miligram, rezulton se buka ka plot 266 mijë mikrogram arsenik. Nëse ky person me peshë trupore e konsumon këtë bukë të plotë në 24 orë, atëherë ai merr sasinë e arsenikut plot 332,5 herë mbi normën.

Në praktikë, kjo do të thotë se nëse një person konsumon rregullisht bukë me një përqendrim kaq të lartë arseniku, ai mund të jetë duke u ekspozuar në nivele që rrisin rrezikun afatgjatë për sëmundjet kancerogjene. Çështja nuk është vetëm një numër në një analizë laboratorike, por si ai numër përkthehet në rrezikun e jetës së përditshme kur merret parasysh konsumi kronik.

“Në kohë të gjatë në bazë të përdorimit mund të shkaktojë probleme shëndetësore afatgjata, nuk i jep në mënyrë të menjëhershme, por duke qenë se grumbullohen dhe mblidhen jep afatgjata të lidhura me sëmundje tumorale me sëmundjet neurologjike dhe sëmundjet kardiovaskulare që në bazë të të gjitha statistikave janë sëmundje që vazhdojnë e rriten në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Besnik Jakaj, mjek.

“Por ama ne po shohim ditë për ditë që ka një rritje të disa sëmundjeve në Shqipëri të cila janë jashtë trendit të sëmundjeve në Komunitetin Europian”, u shpreh Ilir Pecnikaj, kimist.

“Produktet ushqimore që ne konsumojmë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjatësia të sëmundjet kronike tek problemet e ndryshme shëndetësore por që ato nuk i japin në mënyrë të menjëhershme… tërësisë që kemi ne te siguria ushqimore është për të ardhur keq sepse jemi në një situatë jashtë kontrollit realisht”, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti.

Nëse i referohemi rezultateve të 20 studimeve epidemiologjike të publikuara nga EFSA evropiane, rezultatet tregojnë të dhëna që janë shqetësuese. Në dukje, është një shifër e vogël. Thuajse e padukshme, 0.06 mikrogram arsenik inorganik për kilogram peshë trupore në ditë. Kjo është pika ku studimet afatgjata kanë vërejtur rritje të rrezikut për kancer të lëkurës. Quhet pika e referencës së rrezikut. Nuk është kufi sigurie, është kufiri ku fillon shqetësimi.

Ekspozimi mesatar i të rriturve ndaj arsenikut përmes ushqimit llogaritet midis 0.03 dhe 0.15 mikrogram për kilogram peshë trupore në ditë. Situata bëhet edhe më e qartë kur shohim konsumatorët me ekspozim të lartë, 5% e popullsisë. Ky nuk është një rrezik që shfaqet brenda ditës. Nuk ka simptoma të menjëhershme. Është një ekspozim i ulët, i përditshëm, një grumbullim i heshtur që zgjat me vite. Pikërisht kjo e bën të rrezikshëm: ai nuk ndjehet, por vepron. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti merr në shqyrtim nga ana shëndetësore situatën duke bërë përllogaritje të sasisë së arsenikut që merr në ditë një fëmijë i cili mund të peshojë 20 kg, apo një i rritur 75 kg.

“Po të marrim një fëmijë 20 kg herë 0.3 mikrogramë do të thotë që 6 mikrogram ditore është ajo shifra që EFSA thotë që nuk duhet kapërcyer. Po të jetë një burrë 60 kg apo 80 kg atëherë kjo normë do të jetë 3 apo 4 fish më e lartë“, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti.

“Nëse ne këtu kemi një tolerancë për të marrë nga 6 po themi deri në 60 mikrogramë në ditë pra në këtë kalkulim të 0,3 atëherë ne qartësisht këtu kemi një problem të madh se do të thotë në sasi shumë të vogla në arrijmë dozën maksimale që konsiderohet e padëmshme dhe e kapërcejmë atë disafish“, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti.