Hetimet për ekzekutimin e Ilir Gjinit në qytetin e Laçit kanë zbuluar detaje të reja mbi mënyrën si u krye krimi.

Sipas burimeve hetimore, 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, ishte duke u drejtuar në këmbë drejt hyrjes së pallatit ku jetonte, pasi kishte parkuar automjetin, kur autori i dyshuar hapi zjarr ndaj tij.

Policia ka identifikuar si autor të dyshuar Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim. Nga të dhënat paraprake rezulton se pas breshërisë së parë të plumbave, viktima ka tentuar të largohej, por autori e ka ndjekur dhe e ka qëlluar sërish pranë hyrjes së banesës.

40-vjeçari mori shtatë plagë nga arma e zjarrit. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

Sipas burimeve, viktima dhe autori i dyshuar banonin në të njëjtën lagje, çka i bënte fqinj.Po ashtu burime tregojnë se autori dhe viktima kanë patur konflikt disa kohë më parë. Gjatë veprimeve hetimore, policia ka shoqëruar për t’u marrë në pyetje nënën dhe vëllanë e autorit të dyshuar, ndërsa operacioni për kapjen e tij vijon.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po verifikon disa pista mbi motivin e vrasjes. Një prej tyre lidhet me të kaluarën e viktimës jashtë Shqipërisë, ndërsa po hetohen edhe precedentët penalë që ai rezulton të ketë pasur.